INSTITUCIONI NACIONAL QENDRA E KULTURËS
“ILO ANTESKI-SMOK”-TETOVË
Qendra e Kulturës “Ilo Anteski-Smok” në Tetovë përfaqëson një nga institucionet më të rëndësishme kulturore në rajonin e Pollogut dhe një nga shtyllat kryesore të jetës artistike e kulturore të qytetit. Për më shumë se pesë dekada, ajo ka qenë hapësirë e krijimtarisë, edukimit kulturor dhe bashkëpunimit artistik, duke kontribuar në zhvillimin dhe pasurimin e jetës kulturore në Tetovë dhe më gjerë.
Ndërtimi i objektit filloi në vitin 1968 dhe përfundoi në vitin 1975. Po atë vit institucioni nisi veprimtarinë e tij me emrin Pallati i Kulturës – Tetovë dhe me një ekip prej 16 të punësuarish. Në vitin 1976 u regjistrua si subjekt juridik, ndërsa në vitin 2004, me vendim të Qeverisë, fitoi statusin e Qendrës së Kulturës. Drejtori i parë i ndërtimit të këtij objekti me rëndësi të veçantë për qytetin e Tetovës ishte Xheladin Palloshi.
Që nga themelimi i saj, Qendra e Kulturës ka qenë bartëse e aktiviteteve kryesore kulturore dhe artistike në Tetovë. Në skenën e saj janë realizuar qindra koncerte, festivale, shfaqje teatrore, ekspozita, promovime librash, mbrëmje letrare dhe ngjarje të tjera që kanë lënë gjurmë në historinë kulturore të qytetit.
Objekti i Qendrës së Kulturës disponon me një sipërfaqe prej rreth 6.500 metrash katrorë. Zemra e tij është skena multifunksionale me hapësirë prej 672 metrash katrorë, e pajisur me rrotacion skenik dhe guaskë për orkestër, duke krijuar kushte të përshtatshme për realizimin e veprimtarive të ndryshme artistike. Salla kryesore ka kapacitet prej 660 ulësesh, ndërsa për koncerte kamertale, promovime, ligjërata dhe aktivitete të tjera kulturore shfrytëzohen edhe sallat më të vogla me rreth 100 vende.
Për shumë vite objekti ka qenë një qendër e mirëfilltë multifunksionale, duke përfshirë hapësira për atelienë e arteve figurative, studio dramatike, aktivitete muzikore, foto-kino klub, sallë leximi, klub shahu, si dhe ambiente ndihmëse për artistët dhe pjesëmarrësit në programet kulturore. Një pjesë e këtyre hapësirave më vonë iu vunë në dispozicion institucioneve të tjera publike, ndër të cilat Teatri i Tetovës, Biblioteka e qytetit, Universiteti i Tetovës dhe Ansambli muzikor. Në të njëjtën kohë, në objekt kanë vepruar edhe organizata dhe qendra kulturore ndërkombëtare, si Këndi Amerikan, Aleanca Franceze dhe Europe House.
Pas pavarësimit të shtetit dhe ndryshimeve shoqërore e ekonomike të viteve nëntëdhjetë, të shekullit të kaluar Qendra e Kulturës iu përshtat rrethanave të reja të tranzicionit. Krahas mbështetjes nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Republikës së Maqedonisë së Veriut, institucioni siguroi një pjesë të mjeteve financiare edhe nga të ardhurat vetanake, kryesisht nëpërmjet shfrytëzimit të hapësirave me qira, duke garantuar vazhdimësinë e programeve kulturore dhe mirëmbajtjen e objektit.
DREJTUESIT E QENDRËS SË KULTURËS-TETOVË
- Xheladin Palloshi (1968-1975)
- Aco Kostoski (1975-1988)
- Drashko Gjorgjeski (1988-1998)
- Vehbi Bexheti (1998-2001)
- Zylqifli Sulejmani (2001-2002)
- Sabedin Aliu (2002-2003)
- Ejup Mahmudi (2003-2006)
- Faik Mustafa (2006-2008)
- Haki Fazliu (2009-2018)
- Artan Arsllani (2018-2021)
- Arlind Huseini (2021-2023)
- Vullnet Fejzullai (2023-2024)
- Fatlind Ajdini (2024-2025)
- Njomza Imeri Ismaili (2025- )
GRUPET ARTISTIKE TË INSTITUCIONIT
SHOQËRITË DHE SHOQATAT KULTURORE NË HAPËSIRAT E QENDRËS SË KULTURËS
- SH.K.A. “Xheladin Zeqiri”
- SH.K.A. “Pralipe”
- SH.K.A. “Ilo Anteski- Smok”
- SH.K.A. “Yeni hayat”
- SH.K.A. “Branko Çajka”
- SH.K.A. “Jehona e malësisë së Sharrit”
- Studio baleti “Menada”
- Festivali “Jabollçinja”
- Okteti “Ilirikum”
- Sdudio e dramës
- Kori i fëmijëve
- Kori “Balltepe”
Çdo vit Qendra e Kulturës aplikon me projekte të ndryshme në fushën e muzikës, teatrit, letërsisë, arteve pamore dhe disiplinave të tjera artistike, duke realizuar programe që pasurojnë jetën kulturore të qytetit. Krahas kësaj, institucioni realizon projekte për mirëmbajtjen dhe modernizimin e infrastrukturës, duke investuar vazhdimisht në ruajtjen dhe zhvillimin e kapaciteteve të tij.
Gjatë viteve, Qendra e Kulturës ka ndërtuar bashkëpunim të ngushtë me Komunën e Tetovës, universitetet, shkollat dhe institucionet kulturore në vend. Ajo ka bashkëpunuar me teatro, opera, filarmoni, ansamble artistike dhe organizata kulturore nga Maqedonia e Veriut dhe jashtë saj, duke sjellë në Tetovë programe të rëndësishme artistike dhe duke përfaqësuar qytetin në aktivitete të ndryshme kombëtare dhe rajonale.
Sipas statistikave vjetore të institucionit, në Qendrën e Kulturës realizohen mesatarisht 100 deri në 130 aktivitete të ndryshme kulturore, artistike, edukative dhe shoqërore në vit, të cilat ndiqen nga më shumë se 50 mijë vizitorë. Në programet e saj janë përfshirë ndër vite mijëra fëmijë, të rinj dhe të rritur, si dhe dhjetëra profesionistë – koreografë, dirigjentë, muzikantë, këngëtarë, piktorë, aktorë dhe regjisorë – të cilët me përkushtimin e tyre kanë kontribuar në zhvillimin e jetës artistike dhe kulturore të Tetovës.
Sot, Qendra e Kulturës “Ilo Anteski-Smok” vazhdon të mbetet një nga institucionet më të rëndësishme kulturore në vend. Duke ruajtur traditën e ndërtuar ndër dekada dhe duke u përshtatur me nevojat e kohës, ajo mbetet një hapësirë e hapur për krijimtarinë, dialogun kulturor dhe zhvillimin artistik. Në të njëjtën kohë, institucioni është i angazhuar edhe në menaxhimin e projektit për ndërtimin e objektit të ri të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës, një investim me rëndësi të veçantë për të ardhmen kulturore të qytetit.








