Një mbrëmje e veçantë e këngës dhe traditës – Festivali “Teuta”
(EDICIONI I 15-TË)
Me një atmosferë festive, interpretime të veçanta dhe emocione të shumta, u përmbyll me sukses edicioni i 15-të i Festivalit të Këngës së Vjetër Qytetare “Teuta”, organizuar nga I.N. Qendra e Kulturës – Tetovë.
Kjo mbrëmje kulturore solli në skenën e Tetovës pasurinë e këngës së vjetër qytetare shqiptare, duke bashkuar artistë, kore, grupe dhe ansamble nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova. Përmes interpretimeve të tyre, pjesëmarrësit përcollën tek publiku tinguj, melodi dhe motive të çmuara të traditës sonë muzikore.
Pjesë e këtij edicioni ishin Kori i Grave “Teuta” – Tetovë, Artistë pranë Qendrës së Artit “Vaçe Zela” – Lushnjë, Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në RMV, Qendra Kulturore “Haki Stërmilli” – Peshkopi, Grupi “Rilindja” – Gjakovë, si dhe znj. Lumturie Nonaj nga Shqipëria, e cila me interpretimin në lahutë i dha programit një dimension të veçantë artistik dhe tradicional.
Për 15 edicione me radhë, Festivali “Teuta” ka krijuar një urë të rëndësishme kulturore ndërmjet artistëve dhe institucioneve nga trevat shqiptare, duke kontribuar në ruajtjen dhe promovimin e këngës së vjetër qytetare si pjesë e trashëgimisë sonë kulturore.
Në shenjë mirënjohjeje për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në këtë edicion, drejtoresha e Qendrës së Kulturës – Tetovë, znj. Njomza Imeri Ismaili, së bashku me kryetarin e Komunës së Tetovës, z. Bilal Kasami, ndanë pllakatat për grupet pjesëmarrëse dhe për znj. Lumturie Nonaj.
Edicioni i 15-të i Festivalit “Teuta” u shënua kështu si një tjetër mbrëmje e rëndësishme në kalendarin kulturor të Tetovës, duke dëshmuar edhe një herë se kënga, tradita dhe trashëgimia kulturore mbeten pjesë e gjallë e jetës sonë artistike.
📸 Më poshtë ju sjellim disa nga momentet më të bukura të kësaj mbrëmjeje.






















































