Published On: 29 Gusht, 20240 Comments on NATA POETIKE TETOVARE

NATA POETIKE TETOVARE

Më 29 gusht, e enjte, Qendra e Kulturës, mbajti orë letrare “Netët e poezisë tetovare”, projekt ky i mbështetur nga Ministria e Kulturës. Të pranishëm në këtë mbrëmje ishin miq dhe dashamirë të letërsisë dhe poezisë, poetë të të gjithë komuniteteve të vendit, përfaqësues të pushtetit lokal dhe atij qendror, drejtori i Qendrës së Kulturës, Vullnet Fejzullai, ish- sekretari shtetëror i Ministrisë së Kulturës, Arlind Huseini, udhëheqësi artistik i Qendrës së Kulturës, Shpëtim Selmani, etj.

Me krijimet e tyre u paraqitën disa poetë të vendit si Artan Arsllani, Valdeta Dulahu, Fatjona Abdualli, Ezana Qamili, Lirim Alija, Ajnur Dehari, Zanë Mali-Ballanca nga Kosova e cila ishte mysafire speciale e kësaj mbrëmjeje, Sllavica Dabevska Kirovska, Pero Sarxhovski, Milena Ilievska, Mirko Vidoeski, Angella Andonovska, Medine Idrizi, Besnik Kahja, Elis Nebi etj., të cilët lexuan krijimet e tyre secili në gjuhën e vet.

Manifestimin e udhëhoqën Anamarija Bllazheska dhe profesori universitar, Arlind Farizi, i cili e hapi orën letrare duke nënvizuar se poezia nuk është vetëm grumbullim fjalësh të kruspullosura si sorra të zeza në një tel që dridhet. Poezitë e vërteta janë nën gurë të varrosura në dhe në varreza, në rrugica dhe bare. Poezitë e vërteta janë shtrirë në spitale kërkojnë lëmoshë në qoshet e rrugës marshojnë në institucionet financiare dhe mbushin thasët në dyert e qeverive, ato janë në taksi, fabrika dhe në burg në pritje të dënimit, poezitë e vërteta piskasin përtej faqes duke buçitur me krenari dhe pa frikë nga kritikët e rremë, fjalë këto të shkëputa nga Adrian Manning.

Netët e poezisë tetovare përmbledhin pikërisht zërat më të artikuluar të letërsisë që krijohet në Maqedoninë e Veriut, poezi që flasin shumëgjuhshëm, shumëngjyrshëm, poezi poli-identitare, multikulturore e multimediale, e që për emërues të përbashkët kanë emocionin, ndjesinë, kënaqësinë e dëgjimit, leximit dhe rileximit. Emra poetësh më të njohurit në rajon, janë pjesë e kësaj skene letrare, poetë që secili komb do donte t’i kishte në shumës, poetë të cilët me poezitë dhe letërsinë origjinale që ata krijojnë i bëjnë nder kulturës dhe letërsisë. Në të vërtetë, një poezi vërtet e mirë duhet të lexohet me zë të lartë thoshte Borhesi. Poezia e mirë nuk ia lejon vetes që të lexohet në heshtje apo me zë të ulët. Po qe se e lexojmë heshturazi, ajo s’është një poezi e vlefshme. Ajo gjithmonë e mban mend se para se të bëhej art i shkruar ishte një art gojor. Ajo e mban mend se ishte kënga e parë.

Në fund të këtij manifestimi, drejtori i Qendrës së Kulturës, Vullnet Fejzullai, ndau dhe mirënjohje për pjesëmarrësit që lexuan këtë mbrëmje.

Leave A Comment