SHOQATA PURPURA SHËNOI DITËN E AUTIZMIT 

Në Qendrën e Kulturës- Tetovë, në organizim të Shoqatës “Purpura”, u realizua një mbrëmje me disa aktivitete kulturore, ku në qendër të vëmendjes ishte ekspozita me piktura e realizuar nga fëmijët me autizëm. Në ekspozitë përveç pikturave të këtyre fëmijëve, u patën ekspozuar edhe fotografi nga puna e këtyre fëmijëve. Në këtë aktivitet u vërejt edhe një entuziazëm i pashoq i këtyre fëmijëve, që me shumë delikatesë kishin realizuar krijimet e tyre dhe që të ngazëlluar shijonin krijimet e tyre, ndërkaq fjalë miradie dhe plot mbështetje për këto fëmijë dhe këto krijime foli piktori i mirënjohur, Nevzat Bejtuli- Kica.
Më pas aktiviteti vazhdoi edhe me duo koncertin e realizuar nga dy artistët e njohur Shkëlzen Pajaziti në violinë dhe Jetmir Mehmedi në kitarë, të cilët interpretuan disa vepra klasike dhe shqiptare. Mbrëmja përfundoi me një stendap komedi, që u realizua nga aktori i mirënjohur tetovar Hasim Memishi- Sopi.
Ndër të tjerash shoqata “Purpura” falënderoi edhe drejtorin e Qendrës së Kulturës, z. Arlind Huseini për mbështetjen e dhënë në realizimin e këtij projekti.

Leave A Comment