ANSAMBLI SHOTA KONFIRMON PJESËMARRJEN NË FESTIVALIN TEUTA
Ditën e sotme kemi pasur kënaqësinë e veçantë të pritjes së drejtorit të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, z. Mehmed Xhemajlin së bashku me drejtorin artistik z.Ylber Asllanaj në hapësirat e institucionit tonë. Ky takim është bërë realitet falë përpjekjeve të drejtorit të Qendrës së Kulturës – Tetovë, z. Arlind Huseini.
Jemi të kënaqur t’ju njoftojmë se Ansambli “Shota” është pjesë e Edicionit të 12-të të Festivalit të Këngës së Vjetër Qytetare “Teuta”! Festivali do të zhvillohet gjatë muajit tetor dhe është pjesë e programit vjetor të institucionit për vitin 2023, që realizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Bashkëpunimi ynë është një hap i rëndësishëm për promovimin e trashëgimisë sonë kulturore dhe artistike. Ne jemi të ndërgjegjshëm për rëndësinë e këtij bashkëpunimi dhe ndihemi të privilegjuar që Ansambli “Shota” do të sjellë energjinë dhe pasionin e këngës shqipe në skenën e Festivalit “Teuta”.




